Sezoni europian i futbollit po hyn në histori për klubet angleze. Për herë të parë, ekipet e Premier League kanë siguruar praninë në finalet e të tre kompeticioneve më të rëndësishme të UEFA-s brenda të njëjtit sezon.
Gjithçka nisi me Arsenal F.C., që të martën siguroi finalen e Champions League pas suksesit të përgjithshëm 2-1 ndaj Atlético Madrid. Një arritje që konfirmoi rikthimin e “Topçinjve” në elitën europiane dhe ndezi entuziazmin në futbollin anglez.
Vetëm mbrëmjen e së enjtes erdhën edhe dy kualifikime të tjera historike. Në Europa League, Aston Villa realizoi një përmbysje spektakolare ndaj Nottingham Forest, duke rezervuar një duel me SC Freiburg më 20 maj në Istanbul, ndërsa festë pati edhe për Crystal Palac, me londinezët mposhtën sërish Shakhtar Donetsk, këtë herë 2-1 në “Selhurst Park.
Një sukses i tillë i futbollit anglez ka qenë shumë pranë edhe sezonin e kaluar. Chelsea fitoi Conference League, ndërsa Tottenham Hotspur F.C. triumfoi në Europa League, por aventura e Arsenal F.C. në Champions League u ndal në gjysmëfinale ndaj Paris Saint-Germain F.C..
Megjithatë, historia e futbollit anglez njeh edhe më parë periudha dominimi në Europë. Në vitin 2021, finalja e Champions League ishte tërësisht angleze, me Chelsea F.C. që mposhti Manchester City F.C. falë golit të Kai Havertz, ndërsa Manchester United F.C. arriti deri në finalen e Europa League.
Një tjetër sezon i paharrueshëm ishte ai i vitit 2019, kur Liverpool F.C. fitoi Champions League ndaj Tottenham Hotspur F.C. dhe Chelsea F.C. triumfoi kundër Arsenal F.C. në finalen e Europa League në Baku.
Nga ana tjetër, Italia mbetet vendi i fundit që ka dominuar plotësisht futbollin europian. Në sezonin 1989-90, klubet italiane fituan të tre kompeticionet kontinentale: Milan u shpall kampion i Europës, Juventus FC fitoi Kupën UEFA dhe UC Sampdoria triumfoi në Kupën e Fituesve të Kupave.
Tani vëmendja është e gjitha te finalet e majit, ku futbolli anglez synon të mbyllë një sezon historik me dominim absolut në arenën europiane.
