Numri i rasteve të grave të diagnostikuara me kancer gjiri në Fier po njeh rritje nga viti në vit. Sipas onkologes pranë Spitalit Rajonal të Fierit, Anisa Mone, grupmosha më e prekur është 50 deri në 70 vjeç, ndërsa shqetësuese është rritja e rasteve edhe tek vajzat e reja.
Sipas mjekes, ndër faktorët kryesorë të riskut janë jeta sedentare, kequshqyerja, lindja në moshë të madhe dhe faktorët gjenetikë.
Mone ka pohuar gjithashtu se diagnostikimi i hershëm mbetet vendimtar ndērsa ka theksuar se se kur kanceri i gjirit zbulohet në fazat e para, në rreth 90% të rasteve ai është i shërueshëm, ndaj kontrollet periodike janë të domosdoshme.
Në ditët e para të Tetorit Rozë është vënë re një interes më i madh për kryerjen e mamografive. Por kanceri i gjirit nuk prek vetëm gratë. Sipas mjekes, janë diagnostikuar edhe tre raste tek meshkujt, fatkeqësisht në faza të avancuara.
Vetëm gjatë periudhës janar-shtator në Fier janë regjistruar rreth 400 raste me sëmundje tumorale, nga të cilat 65 janë raste me kancer gjiri ndaj mesazhi i mjekëve mbetet i njëjtë: kontrolli në kohë mund të shpëtojë jetë.
