575 vite më parë, më 26 prill, në Manastirin e Ardenicës u organizua martesa e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikën, një ngjarje që mbetet ndër më të rëndësishmet në historinë shqiptare.
Për të përkujtuar këtë ditë Bashkia e Lushnjës riktheu traditën e dasmës së Skënderbeut. Dy të rinj, të veshur me kostume popullore të kohës, simbolizuan çiftin dhe realizuan ceremoninë e kurorëzimit brenda kishës së manastirit, duke rikrijuar atmosferën e vitit 1451.
Në këtë aktivitet u sollën në kujtesë edhe flamujt e principatave shqiptare, si ato të Kastriotëve, Arianitëve, Topiajve, Balshajve dhe Dukagjinëve, duke theksuar unitetin dhe trashëgiminë historike të vendit.
Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa u shpreh se aktivitete të tilla i japin mundësi brezave të rinj të njohin më mirë historinë dhe traditat e qytetit të tyre.
Ndërsa Profesor Shahin Petritaj theksoi se qëllimi i këtij organizimi është të mbajë gjallë kujtesën historike dhe të forcojë lidhjen e të rinjve me figurat kombëtare.
Kjo festë po kthehet tashmë në një traditë të përvitshme për Lushnjën, ndërsa Ardenica mbetet një nga atraksionet turistike më të rëndësishme të zonës, ku po i kushtohet një vëmendje e veçantë promovimit të turizmit.
