Muzeu Historik i Fierit organizoi një veprimtari të veçantë në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, duke sjellë në vëmendje pasurinë materiale dhe shpirtërore të trevës së Myzeqesë dhe rëndësinë e njohjes, ruajtjes e përcjelljes së saj brez pas brezi.

Në qendër ishte vallja dyshe myzeqare, e klasifikuar së fundmi si vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale. Artistët e familjes Myzeqeja sollën për të pranishmit karakteristikat e kësaj valleje, ndërsa nuk mungoi as vallja rrethore e vajzave.

Por përtej interpretimit artistik, aktiviteti kishte edhe një dimension historik. Studiues dhe historianë folën për origjinën, zhvillimin dhe vlerat e këtyre valleve, si pjesë e identitetit të trevës së Myzeqesë.

Dhe mes atyre që ndoqën nga afër këtë aktivitet ishin edhe nxënësit. Prania e tyre nuk ishte e rastësishme, pasi pikërisht te brezi i ri synohet të përcillet ajo që është trashëguar ndër vite.

Drejtori i Muzeut Historik Ilirjan Gjika, theksoi se për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, duhet së pari ta njohim atë.

Ky ishte edhe një nga mesazhet kryesore të aktivitetit: trashëgimia kulturore nuk është vetëm dëshmi e së shkuarës, por një pjesë e gjallë e identitetit të një komuniteti dhe një përgjegjësi që kalon nga një brez te tjetri.

Veprimtaria u drejtua nga Drejtori i Muzeut Historik të Fierit, historiani Ilirian Gjika, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të Bashkisë Fier, drejtues të artit dhe kulturës, historianë, studiues, mësues, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds