Katastrofa ekologjike e shkaktuar në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë ka sjellë herët në mëngjes Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi së bashku me stafin inxhinierik dhe mjetet logjistike me të cilat do të bëhet ndërhyrja urgjente për të normalizuar situatën në këtë ujëmbledhës.
Forcat e ushtrisë kanë nisur punën për pastrimin e rezervuarit dhe shkarkuesve para dhe pas digës.
Ministri Nufi u shpreh se së bashku me bashkinë e Lushnjës kemi filluar punën deri në përfundim që të kthehet në normalitet situata.
Inxhinieri hidroteknike i Bordit të Kullimit Fier Ferdinant Dervishi shprehet se teknikisht shkarkuesit dhe mirëmbajtja e veprave të tilla bëhet dy herë në vit, sepse është rezervuar i kategorisë së parë.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla i është bashkuar grupit të punës në rezervuarin e Kasharaj dhe ka theksuar se punimet ka kohë që kanë nisur për rehabilitimin e shkarkuesve dhe jemi në mbështetje të punimeve për përfundimin e tyre sa më parë.
Përfaqësuesi i firmës kontraktuese Fredi Mara ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për praninë e peshkut dhe se jemi pyetur nga policia në lidhje me situatën e krijuar.
Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985 dhe është i dyti më i madhi në zonën e Myzeqesë pas Thanës.
Ky rezervuar kap 4190 hektarë basen ujëmbledhës dhe ka sipërfaqe ujore 190 hektarë me kapacitet 11 milionë metër kub ujë.
