Përfaqësues të politikës vendore dhe qendrore vizituan sot xhaminë e Lushnjës për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa, e shoqëruar nga deputetë të Partisë Socialiste, përcolli urimet për festën duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, paqes dhe bashkëjetesës dhe shprehu mirënjohjen për komunitetin mysliman lushnjar
Urimeve iu bashkua edhe deputeti Saimir Korreshi i cili theksoi rëndësinë e paqes dhe harmonisë mes qytetarëve.
“Sot ndalohen denoncimet, se është ditë paqe. Ashtu siç pamë sheshin të mbushur me qytetarë të majtë e të djathtë që nderonin festën e Kurbanit, ashtu shpresoj që lushnjarët ta duan njëri-tjetrin përtej politikës dhe paqja të zotërojë mes tyre kudo.”
Urime për më shumë dashuri, harmoni dhe mirëkuptim ndau edhe Kryetari i grupit të opozitës në Këshillin Bashkiak Klement Çela.
Ndërkohë Myftiu i Lushnjës Gramoz Blliku falënderoi të gjithë vizitorët dhe uroi besimtarët myslimanë lushnjarë “Gëzuar Festën e Kurban Bajramit”.
Vizitat në ambientet e xhamisë vijuan gjatë gjithë paradites edhe nga përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, si dhe nga qytetarë të shumtë.
