Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajrami në të gjithë vendin. Në Lushnjë, qindra besimtarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në sheshin qendror të qytetit për të falur Namazin e kësaj feste të shenjtë, ceremoni që u drejtua nga imami Alban Puka.
“Në çdo zemër e shtëpi duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes për festën e Kurbanit. Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje e besnikëri ndaj Zotit të gjithësisë”, tha në fjalën e tij Myftiu Gramoz Blliku.
Besimtarët kryen ritin e faljes dhe shkëmbyen urime për paqe, mirëqenie dhe harmoni në familje.
Sipas besimit mysliman, Kurban Bajrami simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe gatishmërinë për të bërë mirësi në emër të Zotit. Krahas anës shpirtërore, kjo festë përcjell edhe mesazhin e ndihmës dhe mbështetjes për familjet në nevojë ku përfshihet edhe ndarja e mishit nga therja e kurbanit mes familjarëve, miqve dhe njerëzve në nevojë, në shenjë solidariteti dhe bashkimi.
