Besnik Hasalla 65 vjeç, banor i fshatit Garunjas në njësinë administrative Ballagat ka humbur jetën aksidentalisht.
65-vjeçari ka qenë duke punuar në pronën e tij të mbjellë me ullinj në një zonë kodrinore të thepisur. Pasi ka nisur të punojë për të frezuar ullishten, mjeti bujqësor me agregat frezë, i ka dalë nga kontrolli në dishezë. Më pas mjeti është përmbysur për shkak të pjerrësisë duke e zënë poshtë dhe për pasojë Hasalla ka humbur jetën.
Në vendngjarje ka shkuar ambulanca që ka përcjellë trupin e të ndjerit për në morg dhe grupi hetimor për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Sipas burimeve nga grupi hetimor mjeti ka dalë nga kontrolli për shkak të terrenit të pjerrët.
Brenda një harku kohor prej dy muajsh, ky është rasti i tretë ku aksidentet me mjete bujqësore kanë rezultuar fatale për jetën e fermerëve drejtues të mjeteve bujqësore në Lushnjë.
