Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin A.M., me detyrë punonjës policie, i akuzuar për veprën penale të “Përndjekjes”.
Sipas organit të akuzës, hetimet mbi procedimin penal të vitit 2025 provuan se ndaj ish-partneres së tij, shtetases L.C., ai ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme presion psikologjik dhe ngacmime përmes telefonatave dhe kontakteve fizike. Dy personat kishin qenë në një lidhje prej 17 vitesh dhe ishin ndarë në vitin 2024.
Kallëzimi është bërë më 10 shkurt 2025, ndërsa sipas Prokurorisë, veprimet e përsëritura të të pandehurit i kanë shkaktuar gruas gjendje të rënduar ankthi dhe frike për sigurinë e saj personale.
Mësohet se kallëzuesja kishte paraqitur edhe më herët denoncime në prokuroritë e Fierit dhe Durrësit lidhur me sjelljen e ish-partnerit.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria arriti në përfundimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme për veprën penale “Përndjekja”, të parashikuar nga Kodi Penal.
Organi i akuzës thekson se do të vijojë angazhimin për hetimin dhe ndëshkimin e çdo rasti që cenon sigurinë, lirinë morale dhe jetën normale të qytetarëve.
