Sot u paraqit në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, 51-vjeçari Sokol Hoxha, i ekstraduar nga SHBA-ja. I dënuari për vrasjen e tre shtetasve kërkon të shpallet parashkrimi i dënimit penal.

51-vjeçari nga Patosi, i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 dhe me burgim të përjetshëm nga gjykata belge për vrasjen e Brunilda Dervishit, kërkon të përfitojë nga mekanizmat e së drejtës penale, sikundër është parashkrimi i dënimit.

Ai u kap në SHBA në muajin maj, falë bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë dhe SHBA, në kuadër të operacionit “Globi”, dhe u ekstradua në Shqipëri më 6 gusht.

51-vjeçari u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 25 vjet burg, dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.

Por, teksa kanë kaluar 26 vjet nga mosekzekutimi i dënimit penal, Hoxha po kërkon shuarjen e dënimit.

Seanca e mbajtur një javë më parë u shty për ditën e sotme, për të kërkuar informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit. Ndërsa, para trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tusha, prokurorja Malbora Dinaj dhe avokatët Toto Avdija e Rozeta Plaku, Hoxha do të përballet me shqyrtimin e kërkesës së tij për lirimin nga burgu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds