Prej 20 vitesh bariu Ylli Koromani dimëron kopenë e deleve ne zonën e Myzeqesë. 300 krerët e bagëtive të imëta fillimisht i ka shtegtuar nga Skrapari , 5 vite pranë “ Kthesës së Patosit”, 6 vite në Hoxharë, ku si pasojë e përmbytjeve humbi 150 krerë për të cilat nuk përfitoi asnjë dëmshpërblim dhe 9 vitet e fundit është vendosur në Kurjan të Roskovecit.
Bariu që cdo natë dimri e kalon jashtë në fushë me bagëtinë tregton se shtegtimi nga Skrapari drejt Kurjanit është një sfidë më vete dhe se pavarësisht se ka përfituar subvencione nga shteti , mbarështimi i kopesë është në kushtet e mbijetesës.
65- vjecari i cili ka marrë me qera 20 ha tokë , pohon se baza ushqimore është tepër e shtrenjtë, ndërsa cmimi i qumështit tepër i ulët. Sipas tij baxhot e bulmetit e kanë ulur ndjeshëm cmimin e grumbullimit të qumështit, nga 170 lekë pęr litër në 100 lekë për litër duke u sjellë blegtorëve vęshtirësi të mëdha financiare dhe duke rrezikuar mbijetesęn e këtij sektori jetik.
Bariu Koromani ka pohuar gjithashtu se vec të tjerash bagëtitë përballen edhe me sëmundje të ndryshme për të cilat askush nuk i këshillon e as nuk i ndihmon.
Shtegtimi është një traditë shekullore ku barinjtë kalojnë muaj larg banesës për të ushqyer bagëtitë, por sipas Koromanit fitimi është i papërfillshëm krahasuar me vështirësitë që hasin në përditshmëri. I lodhur nga sfidat e vështirësitë dhe nga mungesa e fuqisë punëtore , pas dy dekadash përkujdesje për bagëtitë bariu nga Skrapari mendon të heqë dorë nga pasioni i tij shumëvjecar në mungesë të ndihmës nga shteti. Prodhimet bio vendase nuk kanë të krahasuar me ato të importit ka thënë Koromani teksa ka apeluar për ndërhyrje konkrete për këtë sektor i cili po shkon dita – ditës drejt pakësimit të tufave dhe falimentit.