Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Game Over” duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në Divjakë.

Gjatë kontrolleve u zbulua në një lokal një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit përmes kompjuterëve. Në pranga ranë pronari i lokalit dhe një kamarier, i cili ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme. Gjatë operacionit u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë, që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit të paligjshëm.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.

Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds