Me një investim prej 345 milionë lekësh të vjetra ka nisur prej ditësh projekti për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshatin Lifaj i Ri. Projekti i paraqitur nga bashkia Lushnje dhe që është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfshin lidhjen e fshatit Lifaj i Ri me unazën bujqësore të Lushnjes.
Në këtë mënyrë lehtësohet jo vetëm aksesi i banorëve të zonës për lëvizjen drejt qytetit për shërbime të ndryshme, por edhe transporti i prodhimeve agrobujqësore është më i lehtë drejt tregjeve.
Prej vitesh me radhë, ky fshat për mungesë të infrastrukturës rrugore ka qenë i penalizuar dhe me përfundimin e këtij investimi krijohet mundësia që tregtarët të shkojnë deri tek prodhimet bujqësore por edhe fermerët do t’a kenë më të lehtë edhe t’a nxjerrin vetë prodhimin në treg.
Kjo rrugë do të ketë parametra të përshtatshëm për një rrugë rurale ku përveç kanalizimeve anësore me përfundimin e stabilizantit do të vazhdojnë punimet e tjera deri ne asfaltimin e plotë.