Pastrimi i qytetit të Lushnjës do të ndryshojë gjatë sezonit të verës. Për shkak të temperaturave të larta, mbeturinat nuk do të hiqen më vetëm një herë, por dy herë në ditë nga pikat e grumbullimit, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Sipas Ndërmarrjes së Pasurisë Publike pranë Bashkisë Lushnjë kjo masë synon të mbajë qytetin më të pastër dhe të shmangë erërat e pakëndshme që krijohen nga mbetjet gjatë vapës.

Drejtori i ndërmarrjes  Elson Zeka shprehet se shërbimi nuk kufizohet vetëm me largimin e mbeturinave. Pas kalimit të mjeteve teknologjike, punonjësit kryejnë larjen, klorinimin dhe dezinfektimin e pikave të grumbullimit për të garantuar higjienë më të lartë.

Ndërkohë për të përballuar temperaturat e larta, makina e ujit do të njomë periodikisht akset kryesore të qytetit duke ndihmuar në uljen e nxehtësisë dhe pluhurit.

Zeka u bën thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturinat jashtë koshave dhe të mos u vënë zjarrin atyre. Ai garanton se shërbimi i pastrimit do t’u përgjigjet çdo kërkese të banorëve për largimin e mbetjeve në zonat ku ata jetojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds