Bashkia e Lushnjës ka nisur punimet për sistemimin e sheshit dhe ndërtimin e tregut të ri të fruta-perimeve në lagjen “Skënder Libohova”, përgjatë rrugës “Pavarësia” me një investim prej mbi 18.3 milionë lekësh.
Projekti përfshin sistemimin e një sheshi me sipërfaqe 1 600 metra katrorë dhe ndërtimin e një tregu të ri prej 220 metrash katrorë, ku do të krijohen 10 njësi tregtimi.
Prej rreth 30 vitesh tregtarët e kësaj zone ushtronin aktivitetin në kushte jo standarde duke ndikuar edhe në pamjen urbane të lagjes. Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa tha se gjatë kohës së punimeve tregtarët janë sistemuar përkohësisht në anën tjetër të rrugës.
Investimi parashikon gjithashtu sistemimin e hapësirave publike, krijimin e dy zonave parkimi për banorët dhe vizitorët, zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra, mbjelljen e pemëve dekorative, ndërtimin e rrjetit të ndriçimit publik, vendosjen e stolave dhe elementëve të tjerë të mobilimit urban.
Me këtë projekt synohet përmirësimi i kushteve të tregtimit, lirimi i trotuareve nga tregtimi informal, organizimi më i mirë i parkimit dhe krijimi i një mjedisi më funksional e estetik për banorët e zonës.
