Këshilli Bashkiak i Lushnjës zhvilloi mbledhjen e muajit gusht, ku në rendin e ditës ishin miratimi i fondit për familjet në nevojë, pjesëmarrja e Bashkisë Lushnjë në panairin “Fiera di Casalguidi”, fondi për emergjencat civile, si dhe investimi për restaurimin e shkollës “Foto Puka”.
Pikërisht ky investim solli debate në këshill. Pas prezantimit të projektit nga Drejtorja e Urbanistikës Arjola Dylia, Kryetari i grupit të opozitës Klement Çela shprehu rezerva për ndërhyrjen e dytë në këtë shkollë.
Mendimi i tij u mbështet edhe nga këshilltari i Partisë Socialiste Pirro Kallajxhi.
Debate pati edhe për fondin e emergjencave civile i cili parashikon blerjen e dy automjeteve zjarrfikëse edhe pse sezoni i zjarreve po shkon drejt fundit.
Në përfundim të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me unanimitet nga Këshilli Bashkiak.
