I nevojshëm por i pamjaftueshëm, e kanë konsideruar njëzëri pensionistët fierakë bonusin e pranverës që ka nisur të shpërndahet që nga data 1 Mars së bashku me pensionin mujor. Për mikrofonin e 4Plus pjesa më e madhe e tyre kanë pohuar se bonusi 10 mijë apo 5 mijë lekë shtesë do të shkojë kryesisht për ilaçe e ushqime.
Teksa e vlerësojnë si të pamjaftueshëm bonusin e pranverës, pensionistët fierakë kanë kërkuar rritje reale të pensioneve për të zbutur varfërinë dhe jo bonuse apo indeksim.
Edhe pse ky bonus mund të tërhiqet deri në 30 shtator të këtij viti në të gjitha degët e postës shqiptare në Fier vihet re një dyndje e madhe të moshuarish që në ditët e para të shpërndarjes së tij.