Humbjet totale në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike ranë në 15.6% në tetë muajt e parë të vitit 2026, nga 16.96% në vitin 2025, duke vijuar tendencën rënëse të viteve të fundit.

Gjithsesi, të dhënat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tregojnë se diferencat mes rajoneve vijojnë të jenë të mëdha.

Në Kukës, më shumë se një e treta e energjisë së futur në rrjet rezulton si humbje. Norma ishte 34.9% në tetëmujorin e këtij viti, niveli më i lartë mes drejtorive rajonale. Treguesi është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, pasi humbjet në këtë rajon ishin 40.88% në vitin 2025 dhe arritën në 42.42% në 2024.

Pas Kukësit renditet Shkodra, ku humbjet në tetë muajt e parë të vitit arritën në 29.06%, nga 31.29% në vitin 2025. Në Burrel, niveli i humbjeve ishte 22.56%, nga 24.21% një vit më parë.

Në skajin tjetër të renditjes, humbjet ranë nën 10% në tre rajone. Fieri regjistroi normën më të ulët, me 9.5%, nga 10.51% në vitin 2025. Pas tij vijnë Korça me 9.63% dhe Tirana me 9.85%. Në kryeqytet, humbjet kishin qenë 10.31% gjatë vitit të kaluar.

Në rajonet e tjera, humbjet rezultuan 14.78% në Durrës, 14.65% në Gjirokastër dhe Vlorë, 12.29% në Berat dhe 10.99% në Elbasan. Edhe në pjesën më të madhe të këtyre zonave, niveli ishte më i ulët se ai i raportuar për vitin 2025.

Në totalin e drejtorive rajonale, norma e humbjeve zbriti në 14.51%, nga 15.94% në vitin 2025. Duke përfshirë edhe humbjet në tensionin e lartë dhe elementët e tjerë të bilancit energjetik, humbjet totale në rrjetin e OSSH-së rezultuan në 15.6%.

Të dhënat tregojnë një ulje të vazhdueshme të këtij treguesi në vitet e fundit. Humbjet totale në rrjetin e OSSH-së ishin 18.93% në vitin 2023, zbritën në 17.93% në 2024 dhe në 16.96% në 2025. Për tetë muajt e parë të 2026-s, treguesi është rreth 3.3 pikë përqindje më i ulët se niveli i vitit 2023.

Sipas materialit të paraqitur nga kompania, OSSH parashikon që viti 2026 të mbyllet me humbje në rrjetin e shpërndarjes në nivelin rreth 15.9%.

Të dhënat janë përfshirë në një material të OSSH, të depozituar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në kuadër të plotësimit të dokumentacionit për shqyrtimin e planit 5-vjeçar të zhvillimit të rrjetit të shpërndarjes së OSSH sh.a. për periudhën rregullatore 2023-2027.

Materiali është pjesë e dokumenteve plotësuese të paraqitura gjatë procesit të shqyrtimit të planit nga ERE që ka nisur prej disa muajsh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds