Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 2 tetor 2026 miratoi projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Sipas AMF-së, projektligji synon të vendosë një kuadër të plotë rregullator për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe të sigurojë përafrimin e plotë të Shqipërisë me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale. Në thelb, ai transpozon Rregulloren (BE) 2023/1114, të njohur si MiCA, dhe krijon një bazë të qartë ligjore për një treg që deri më sot ka qenë vetëm pjesërisht i mbuluar nga kuadri ekzistues.

Shtyllat kryesore të projektligjit janë transparenca, mbrojtja e investitorit, integriteti i tregut, mbikëqyrja efektive dhe harmonizimi me standardet evropiane.

Projektligji rregullon jo vetëm emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, por edhe shërbime si operimi i platformave të tregtimit, kujdestaria, këmbimi, ekzekutimi dhe transmetimi i urdhrave, këshillimi, transfertat dhe administrimi i portofolit të kripto-aseteve.

Ai vendos gjithashtu kërkesa të qarta për kapitalin minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, transparencën e dokumentit informues dhe masat kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave.

Projektligji i ri kalon nga një kuadër i fragmentuar në një regjim të plotë, funksional dhe të harmonizuar me standardet e BE-së në përputhje me rregulloren MiCA. Ky është dallimi kryesor pasi nuk kemi vetëm zgjerim të aktiviteteve të rregulluara, por ndërtohet një arkitekturë e re rregullatore që vendos në qendër sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorit dhe mbikëqyrjen efektive të tregut.

Projektligji “Për Tregjet e Kripto-Aseteve” parashikon një regjim të diferencuar rregullator për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke i trajtuar ato sipas natyrës së tyre, funksionit ekonomik dhe nivelit të rrezikut që paraqesin për investitorët, tregun dhe stabilitetin financiar.

Me projektligjin e ri në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, synohet krijimi i një kuadri më të qartë dhe të harmonizuar me standardet e BE-së. Në këtë mënyrë, licencimi i operatorëve në këtë sektor do të zhvillohet mbi një bazë ligjore dhe rregullatore më të avancuar, të sigurt dhe të konsoliduar.

Kalon në qeveri edhe projektligji për mbikëqyrjen e konglomerateve financiare

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar edhe projektligjin “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”. Ky projektligj, miratuar sot nga Qeveria Shqiptare, synon forcimin e mbikëqyrjes së grupeve që ushtrojnë veprimtari në disa sektorë të tregut financiar.

Një grup do të konsiderohet “konglomerat financiar”, nëse përfshin të paktën një subjekt bankar dhe një subjekt sigurimi apo investimi, ndërsa aktiviteti ndërsektorial duhet të kalojë pragje të caktuara.

Projektilgji, synon krijimin e një mbikëqyrjeje shtesë prudenciale për institucionet e kreditit, shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare, në përputhje të plotë me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian, e njohur si FICOD, si edhe me ndryshimet e mëvonshme të saj.

Projektligji parashikon një nivel shtesë mbikëqyrjeje, i cili plotëson, pa zëvendësuar, mbikëqyrjen sektoriale të secilit subjekt. Vëmendja përqendrohet te mjaftueshmëria e kapitalit në nivel grupi, përqendrimi i rrezikut, transaksionet brenda grupit, si dhe proceset e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm. Kjo qasje synon të parandalojë përdorimin e dyfishtë të kapitalit dhe të kufizojë përhapjen e vështirësive financiare nga një subjekt te tjetri brenda të njëjtit konglomerat.

Një element thelbësor është bashkëpunimi ndërmjet Autoritetit dhe Bankës së Shqipërisë për identifikimin e konglomerateve financiare, shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin e mbikëqyrjes. Për çdo konglomerat do të përcaktohet një autoritet koordinator, përgjegjës për drejtimin e mbikëqyrjes shtesë dhe koordinimin me autoritetet përkatëse, përfshirë ato të huaja, kur është e nevojshme.

Përmes këtij kuadri, synohet një vlerësim më i plotë i rreziqeve të grupeve financiare, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së interesave të klientëve dhe investitorëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds