Sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite shkatërruan një dron të Huthive në jug të Mekës, para se ai të hynte në hapësirën ajrore të ndaluar mbi qytetin e shenjtë. Këtë e bëri të ditur të mërkurën një zëdhënës i koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, ndërsa luftimet po përhapen në Lindjen e Mesme. Droni, i kapur të martën në mbrëmje, përbënte përpjekjen e dytë të Huthive për të goditur Mekën, pas lëshimit të një rakete balistike në korrik të vitit 2017, dhe vjen pas një jave sulmesh nga luftëtarët Huthi të lidhur me Iranin, të cilat e kanë përfshirë Arabinë Saudite më thellë në luftë. Meka është vendndodhja e disa prej vendeve më të shenjta të Islamit dhe qendra e pelegrinazhit vjetor të Haxhit; siguria e saj përbën një “vijë të kuqe”, deklaroi zëdhënësi i koalicionit. Vetë Huthit kanë mohuar se kanë pasur për qëllim të godasin Mekën. Sulmet ndaj Arabisë Saudite kanë tronditur tregjet globale të energjisë, të cilat tashmë janë në gjendje të paqëndrueshme për shkak të konfliktit gjashtëmujor SHBA-Ira, konflikt që ka reduktuar në minimum transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Ditët e fundit, Huthit kanë marrë nën kontroll pjesë të bregdetit të Jemenit në Detin e Kuq që mbikëqyrin Bab el-Mandebin, një nga ngushticat detare më të rëndësishme në botë, duke kërcënuar kështu eksportet e naftës saudite që janë devijuar nga Ngushtica e Hormuzit. Arabia Saudite lëshoi alarme sigurie për Mekën të martën, por Mohammed al-Farah, anëtar i byrosë politike të Huthive, mohoi se grupi kishte shënjestruar qytetin, duke e quajtur akuzën “një gënjeshtër të pastër”. Gjatë javës së kaluar, Huthitë kanë njoftuar për disa sulme të mëdha ndaj Arabisë Saudite, përfshirë sulmet ndaj një baze ajrore të hënën, të cilat ata i përshkruan si hakmarrje për sulmet ajrore në Jemen. Sulmi ndaj bazës ajrore la të plagosur 13 civilë, sipas zyrtarëve të koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite. Arabia Saudite ka fajësuar një lëvizje tjetër pro-iraniane, me bazë në Irak, për një sulm të së premtes që nxori jashtë funksionit një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në mbretëri: tubacionin “Lindje-Perëndim” që përshkon shkretëtirën arabe. Tubacioni me gjatësi 1.200 km, që lidh fushat e naftës së Arabisë Saudite në Gjirin Persik me Detin e Kuq, ka shërbyer si rruga kryesore e eksportit të mbretërisë, ndërkohë që transporti përmes Ngushticës së Hormuzit është ndërprerë nga lufta në Iran.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds