Greqia po zgjeron një program financiar për të nxitur banorët të zhvendosen në zona të largëta kufitare, siç janë ato në kufi me Shqipërinë dhe rajone që po përballen me rënie të popullsisë. Aplikimet për programin e përmirësuar “Zhvendosje” pritet të hapen në muajin tetor, ndërsa qeveria synon të frenojë shpopullimin dhe të forcojë komunitetet në zonat më të izoluara të vendit.

Ministrja e Kohezionit Social dhe Familjes, Domna Michailidou, ka bërë të ditur se programi do të zgjerohet edhe në zona të reja, përfshirë ishullin Kastellorizo. Sipas saj, mbështetja financiare duhet të shoqërohet edhe me shërbime publike, infrastrukturë dhe kushte më të mira jetese për banorët.

Programi parashikon një mbështetje financiare deri në 10 mijë euro për qytetarët dhe familjet që vendosin të zhvendosen përgjithmonë në zonat e përcaktuara. Gjithashtu, 50% e shumës do të mund të merret paraprakisht, për të ndihmuar familjet me shpenzimet fillestare të zhvendosjes.

Një tjetër ndryshim lidhet me kriteret e përfitimit. Nuk do të jetë më e detyrueshme që aplikanti të ketë një kontratë pune të siguruar paraprakisht, duke e bërë programin të aksesueshëm edhe për të vetëpunësuarit, punonjësit në distancë dhe të diplomuarit e rinj.

Programi, i nisur fillimisht në zona si Evrosi, është zgjeruar në gjashtë njësi rajonale: Kastoria, Serres, Follorina, Kilkisi, Pella dhe Drama. Në skemë janë përfshirë gjithashtu disa komuna malore dhe rurale në Janinë, me përjashtim të bashkisë kryesore të Janinës, si dhe Filati dhe Suli në Thesproti.

Për ishuj të veçantë si Kastellorizo parashikohet një skemë tjetër mbështetjeje, me 5 mijë euro në vit, ndërsa jepen edhe 1 mijë euro shtesë për çdo fëmijë.

Kjo mbështetje mund të përfitohet si nga punonjësit e sektorit publik, ashtu edhe nga ata të sektorit privat. Ministrja Michailidou ka theksuar se subvencionet financiare, të vetme, nuk janë të mjaftueshme për të ndalur shpopullimin.

Sipas saj, programi duhet të shoqërohet me bashkëpunim me komunitetet lokale, krijimin e çerdheve dhe shkollave, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Qeveria greke synon që përmes kësaj skeme të tërheqë banorë të rinj dhe familje drejt zonave që po humbasin popullsinë, duke e kthyer mbështetjen financiare në një nxitje për rigjallërimin ekonomik dhe demografik të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds