Rritjet më të forta të pagave po zhvendosen drejt zanateve dhe profesioneve elementare, pikërisht aty ku bizneset e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punonjës.

Të dhënat për tremujorin e dytë 2026 tregojnë se, ndërsa sektorët më të paguar vijojnë të jenë financat dhe teknologjia, ritmet më të larta të rritjes po shënohen në ndërtim dhe në profesionet elementare, që deri pak vite më parë ishin në fund të shkallës së pagave.

Kjo tendencë është ndihmuar dhe nga rritja e pagës minimale në janar, që u bë nga 40 mijë në 50 mijë lekë.

Paga mesatare bruto në ekonomi arriti në 92,2 mijë lekë, me një rritje prej 9,8% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, raportoi INSTAT.

Sipas aktivitetit ekonomik, financat dhe sigurimet vijojnë të kryesojnë për nivelin e pagave, me 187,3 mijë lekë në muaj dhe rritje 7,1% me bazë vjetore. Pas tyre renditet informacioni dhe komunikacioni, me 143,5 mijë lekë dhe rritje 8,8%.

Administrata publike, mbrojtja dhe sigurimet shoqërore arritën në 106,6 mijë lekë, me rritje 7,5%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme në 96,9 mijë lekë, ose 9,2% më shumë se një vit më parë.

Por rritjen më të fortë e ka shënuar ndërtimi. Paga mesatare në këtë sektor u ngjit në 83,6 mijë lekë, 22,1% më shumë se në tremujorin e dytë 2025. Ndërtimi është nga të paktët sektorë që po ecën mirë në vend, i nxitur dhe nga fluksi i lartë i parave informale që po kanalizohen aty, duke ushtruar presion mbi tregun e fuqisë punëtore.

Industria arriti në 77,7 mijë lekë, me rritje 11,5%, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi, ndonëse mbeten ndër aktivitetet më pak të paguara, arritën në 61,2 mijë lekë, me rritje 10,4%.

Në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor, paga mesatare ishte 74,7 mijë lekë, me rritje 9,8%, ndërsa në art, argëtim dhe aktivitete të tjera arriti në 86,2 mijë lekë, me rritje 6,4%.

Më të paguarit mbeten drejtuesit, por zanatet po rriten më shpejt

Edhe ndarja sipas profesioneve tregon të njëjtën zhvendosje. Menaxherët, ligjvënësit dhe drejtuesit e lartë mbeten në krye, me pagë mesatare 141,2 mijë lekë dhe rritje 5,9%.

Specialistët me arsim të lartë arrijnë në 119,2 mijë lekë, me rritje 7,5%, ndërsa Forcat e Armatosura në 108,6 mijë lekë, me rritje vetëm 2%.

Teknikët dhe specialistët në zbatim paguhen mesatarisht 100,5 mijë lekë, me rritje 8,6%, ndërsa nëpunësit 91,0 mijë lekë, ose 7,6% më shumë se një vit më parë.

Rritjet më të mëdha, megjithatë, gjenden më poshtë në shkallën e pagave. Zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to kryesojnë me një rritje prej 16%, duke e çuar pagën mesatare në 70,8 mijë lekë.

Menjëherë pas tyre vijnë punëtorët në profesione elementare, me pagë 61,9 mijë lekë dhe rritje 15,1%. Punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive arritën në 71,1 mijë lekë, me rritje 14,3%, ndërsa punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve në 71,4 mijë lekë, me rritje 12,7%.

Edhe punonjësit e kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ndonëse kanë pagën më të ulët mes grupeve kryesore të profesioneve, prej 58,6 mijë lekësh, shënuan një rritje të fortë prej 12,6%.

Tregu po ua rrit vlerën pikërisht punëve që po bëhen më të vështira për t’u plotësuar me punonjës vendas. Mungesa e fuqisë punëtore në shërbime, prodhim dhe profesione të tjera me paga më të ulëta po i shtyn bizneset jo vetëm të rrisin pagesat, por edhe të kërkojnë staf jashtë vendit.

Deri në fund të qershorit 2026 në Shqipëri punonin 22,6 mijë shtetas të huaj, nga 18,1 mijë në fund të vitit 2025.

Filipinasit, indianët dhe egjiptianët kryesonin punësimet e reja, ndërsa të huajt po angazhohen veçanërisht në bare e restorante, në pozicione si kamarierë, pastrues e kuzhinierë, por edhe në fabrika dhe aktivitete prodhuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *