Policia Rrugore ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në të gjitha akset kryesore rrugore të vendit, si dhe në pikat hyrëse dhe dalëse, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut. Monitorimi është kryer me pajisje inteligjente dhe grupe të posaçme kontrolli në terren, si në rrugët urbane ashtu edhe ato interurbane.
Gjatë një jave janë proceduar penalisht 26 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor. Nga këta 8 persona janë arrestuar në flagrancë, pasi janë konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi dhe 18 drejtues të tjerë mjetesh janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
Sipas të dhënave zyrtare janë vendosur gjithsej 2 220 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
1 567 masa për tejkalim të shpejtësisë, 57 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 23 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 68 masa për parakalim të gabuar, 26 masa për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, 479 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor të cilat gjithashtu konsiderohen burim potencial aksidentesh.
Policia Rrugore ka vijuar edhe me sekuestrimin e mjeteve problematike. Në total janë bllokuar 21 motomjete që qarkullonin pa dokumentacion të rregullt dhe pa targa përkatëse.
Autoritetet policore theksojnë se këto kontrolle do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve, sidomos në periudha me fluks të shtuar qarkullimi.
Në fund Policia Rrugore u bën sërish thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor duke theksuar se respektimi i tyre është një kontribut i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, si dhe në garantimin e një qarkullimi më të sigurt dhe më të rregullt në të gjithë vendin.

