Një tjetër aksident tragjik me pasojë humbjen e jetës është shënuar mëngjesin e kësaj të hëne në rrugët e Lushnjës, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë rrugore në zonë.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Çermë-Proshkë, në aksin rrugor Çermë–Divjakë. Sipas informacioneve paraprake, 71-vjeçarja Ike Dervishi ka qenë duke tentuar të kalojë rrugën nga njëra anë në tjetrën, kur është përplasur nga një motoçikletë që drejtohej nga 24-vjeçari Leandro Xhillari.
Përplasja ka qenë tepër e fortë dhe, për shkak të plagëve të marra, e moshuara ka ndërruar jetë në vendngjarje, pa mundur të marrë ndihmë mjekësore. Menjëherë pas aksidentit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtuesi i motoçikletës është shoqëruar dhe ndaluar nga policia, ndërsa po kryhen verifikime për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë ligjore.
Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekjen në territorin e Lushnjës gjatë dy ditëve të fundit, një bilanc tragjik që ngre edhe një herë alarmin për kujdesin në qarkullim, si nga drejtuesit e mjeteve ashtu edhe nga këmbësorët. Hetimet për ngjarjen vijojnë.
