Rrushi, vera dhe rakia u bënë protagonistët e festës që bashkoi në Toshkëz traditën, prodhimin dhe kulturën e zonës. Në këtë aktivitet u mblodhën kultivues të rrushit, banorë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
“Festa e Vreshtarisë” solli në vëmendje një prej aktiviteteve më të rëndësishme promovuese të bujqësisë në këtë zonë. Mes produkteve të ekspozuara spikaste rrushi i tavolinës, ndërsa vreshtarët patën mundësinë të prezantojnë prodhimet e tyre dhe të përcjellin traditën e kultivimit dhe përpunimit të rrushit.
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa e shoqëruar nga zv.kryetarja Maldrita Bardho.
Aktiviteti u shoqërua me këngë dhe valle të interpretuara nga fëmijët e Shkollës Toshkëz dhe nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Lushnjë.
Në fjalën e saj Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa tha se Festa e Vreshtarisë organizohet në Toshkëz për shkak të sipërfaqeve të konsiderueshme të mbjella me vreshta në këtë zonë.
Fermerët thanë se aktivitete të tilla ndihmojnë në promovimin e prodhimit vendas, ndërsa për këtë vit vlerësojnë se prodhimi i rrushit ka qenë i mbarë.
Megjithatë krahas rezultateve pozitive në prodhim, sfidë për fermerët vijon të mbetet tregu, çmimi dhe shitja e prodhimit.
Festa e Vreshtarisë është kthyer tashmë në një traditë për Toshkëzin dhe zonën përreth.
Tradita pritet të vijojë edhe në të ardhmen, ndërsa aktivitete të ngjashme synohet të zhvillohen edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Lushnjë, në promovim të produkteve dhe traditave lokale.
