25-vjetori i rindërtimit të Teqesë së Baba Skënderit në Lushnje është përkujtuar me një aktivitet të organizuar nga Shoqata Kulturore Bektashiane Lushnjë.

Në këtë përkujtimore morën pjesë besimtarë bektashinj, përfaqësues të Bashkisë Lushnjë dhe të komunitetit lokal.

Kryetari i Shoqatës Kulturore Bektashiane, Kujtim Baze, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rëndësinë e kësaj dite, duke sjellë në vëmendje historinë dhe kontributin e besimtarëve në rindërtimin dhe ruajtjen e objekteve të kultit.

Në emër të Kryetares së Bashkisë Eriselda Sefa, të pranishmit i përshëndeti dr. Niko Ferro. Ai vlerësoi rolin e Shoqatës Kulturore Bektashiane në rindërtimin e Teqesë së Baba Skënderit, si dhe në rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e objekteve të tjera të kultit në territorin e Bashkisë Lushnjë.

Aktiviteti vijoi me vizitën e besimtarëve në teqe, ku ata u lutën dhe ndezën qirinj në shenjë përkujtimi dhe respekti.

Për komunitetin bektashian, Teqeja e Baba Skënderit mbetet një vend me rëndësi shpirtërore dhe historike, ndërsa 25-vjetori i rindërtimit të saj shënon një tjetër moment në ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë kulturore e fetare në Lushnjë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds