Kryeministri Edi Rama tha se deri në 2028 Shqipëria do të ketë të gjithë kapacitetin ushtarak dhe Forcave të Armatosura nuk do t’u mungojë asgjë, që nga makinat më të lehta deri te armët më të sofistikuara.
“Ushtria shqiptare që nga ’92 dhe deri para se të hynim në këtë fazë, ka vajtur për mjete. 5 sot, 6 nesër, 3 u prishën, 2 janë në mirëmbajtje…
Plani ynë që folëm edhe me shefin e shtabit, është brenda 2028 ushtria shqiptare do këtë të gjitha mjete, që nga makina më e lehtë deri te armët më të sofistikuara. Nuk do ketë asnjë katërrrotak që do t’i mungojë FA, do ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO.
Ndërkohë do të jetë e pajisur me shumëçka tjetër që ka nisur të projektohet dhe prodhohet në vend”, tha Rama gjatë fjalës së tij në eventin për marrjen në dorëzimin nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”.
E ndërkohë Rama foli edhe për një ambicie më të madhe, kur tha se nuk duhet të çuditemi nëse një ditë furnizojmë edhe ushtrinë e SHBA me “made in Albania”.
“Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake dhe mos u çudisni kur një ditë të vijmë përsëri këtu dhe të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu që do i japim edhe ushtrisë amerikane, prodhime made in Albania. Parafytyroni një ushtar të SHBA me një prodhim made in Albania, kush do e imagjinonte vite më parë. Kjo është Shqipëria tjetër që kemi ndërtuar dhe do fillojë të jap të tjera rendimente dhe produkte”, tha ai.
