Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s është thelluar ndjeshëm, pas projektit të presidentit Gianni Infantino për të hapur një pjesë të aktiviteteve tregtare të FIFA-s ndaj investitorëve privatë.

Në një deklaratë të fortë, UEFA theksoi se Kupa e Botës nuk është një produkt investimi dhe nuk mund të vihet në shitje. Sipas konfederatës europiane, futbolli është një trashëgimi globale që u përket lojtarëve, kombëtareve dhe tifozëve, ndaj çdo përfshirje e kapitalit privat do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si drejtohet sporti.

UEFA akuzon FIFA-n se e ka hartuar projektin pa konsultime me federatat dhe e cilëson të papranueshme ofertën prej 20 milionë dollarësh për secilën nga 211 federatat anëtare, duke e konsideruar atë një ultimatum për të pranuar privatizimin e kompeticioneve më të rëndësishme.

Projekti i Infantinos parashikon ndarjen e aktiviteteve tregtare të FIFA-s në një operacion me vlerë 20 miliardë dollarë, ku 20 për qind e aksioneve do t’u kalonin investitorëve privatë.

Si reagim, UEFA ka paralajmëruar bojkotimin e të gjitha aktiviteteve të FIFA-s deri në tërheqjen e këtij projekti. Kompeticioni i parë që rrezikon të preket nga ky vendim është Kupa e Botës për Femra U-20, e planifikuar të nisë më 5 shtator në Poloni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds