Një numër i panjohur personash dyshohet se janë varrosur të gjallë pas një rrëshqitjeje të fuqishme dheu në jugperëndim të Kinës, e cila shkaktoi shembjen e disa ndërtesave të banimit.
Ngjarja ka ndodhur në Qarkun Pengshui, një nga zonat më të mëdha urbane të Kinës. Sipas raportimeve të mediave shtetërore, një punonjës i komunitetit ka njoftuar autoritetet rreth orës 8 të mëngjesit, pasi kishte vënë re lëvizje të gurëve dhe shenja të një rrëshqitjeje të mundshme dheu.
Pas alarmit, autoritetet nisën menjëherë procedurat e evakuimit dhe urdhëruan largimin e më shumë se 60 banorëve nga ndërtesat e rrezikuara. Megjithatë, situata u përkeqësua shpejt, pasi rreth orës 09:08, gjatë procesit të evakuimit, masa e dheut u shemb duke përfshirë disa ndërtesa dhe duke bllokuar persona brenda rrënojave.
Numri i personave të zhdukur ose të bllokuar nën rrënoja nuk është konfirmuar ende nga autoritetet. Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në operacionet e kërkimit, ndërsa po përdorin mjete të posaçme për të kontrolluar zonën dhe për të nxjerrë personat që mund të kenë mbetur nën dhe.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, nëntë persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk konsiderohet serioze. Autoritetet vijojnë kërkimet për persona të tjerë që mund të jenë bllokuar.
Deri tani nuk është bërë e ditur shkaku i saktë i rrëshqitjes së dheut. Ekspertët pritet të analizojnë terrenin dhe kushtet gjeologjike të zonës për të përcaktuar nëse ngjarja është shkaktuar nga reshjet e dendura, dobësimi i tokës apo faktorë të tjerë natyrorë.
Rrëshqitjet e dheut janë një fenomen i përsëritur në disa zona malore të Kinës, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të shumta, ku terreni i paqëndrueshëm rrit rrezikun për shembje dhe dëmtime të mëdha.
Autoritetet kineze kanë vendosur forca të shumta në terren dhe operacioni i shpëtimit vijon, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion për numrin e viktimave dhe personave të shpëtuar.
