Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos udhëtojë për finalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Spanjës, pasi beson se ndryshimi i rutinës mund t’i sjellë ters kombëtares së tij.
Milei ka ndjekur të shtatë ndeshjet e Argjentinës nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe do të bëjë të njëjtën gjë edhe për finalen. “Do të vazhdoj t’i shoh të gjitha ndeshjet nga Olivos”, tha ai, duke refuzuar mundësinë për ta ndjekur sfidën në stadium së bashku me Presidentin amerikan Donald Trump dhe kreun e FIFA-s Gianni Infantino.
Presidenti argjentinas tregoi edhe ritualin e tij gjatë Botërorit, duke thënë se mban të njëjtën xhaketë në çdo ndeshje, pasi kur e hoqi gjatë sfidës ndaj Zvicrës, kundërshtari shënoi gol.
Në Argjentinë, këto besëtytni njihen si “cábalas” dhe janë shumë të përhapura mes tifozëve, të cilët shpesh ndjekin të njëjtat zakone gjatë gjithë turneut për t’i sjellë fat ekipit të tyre.
Tradita e presidentëve argjentinas për të shmangur ndeshjet e mëdha të kombëtares lidhet me Botërorin e vitit 1990, kur vizita e presidentit të atëhershëm Carlos Menem para humbjes ndaj Kamerunit bëri që ai të konsiderohej si “mufa”, pra si person që sjell ters.
