Në orët e para të mesnatës, Bashkia e Lushnjës ndërmori një aksion të gjerë për dezinsektimin dhe pastrimin e qytetit. Punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike realizuan larjen e rrugëve kryesore, të sheshit qendror, stolave në lulishten e qytetit, si dhe të hapësirave publike më të frekuentuara nga qytetarët.
Aksioni u përqendrua në disa prej akseve kryesore, përfshirë shëtitoren e Kongresit, rrugët “Misto Mame”, “Fan Noli”, “Vedut Dokollari”, “Uan Gogu”, “Pavarësia” dhe lulishten e qytetit.
Sipas bashkisë, kjo ndërhyrje synon përmirësimin e higjienës urbane dhe uljen e pranisë së insekteve gjatë sezonit të verës, kur temperaturat e larta favorizojnë shtimin e tyre.
Dezinsektimi dhe larja e ambienteve publike do të vijojnë edhe në zona të tjera të qytetit, si pjesë e planit të rregullt të mirëmbajtjes dhe pastrimit.
“Bashkia e Lushnjës apelon për ruajtjen e pastërtisë së ambienteve publike dhe bashkëpunimin e qytetarëve për një qytet më të pastër dhe më të sigurt gjatë stinës së verës.”
