127 të dënuar kanë përfituar nga ligji i amnistisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Kosovë të Lushnjës. Procedurat për lirimin e tyre nisën që në orën 08:00 të mëngjesit dhe u zhvilluan gjatë gjithë ditës, sipas rregullave të parashikuara nga administrata penitenciare.
Të liruarit ishin të dënuar kryesisht për vepra penale si përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike, si edhe për vepra të tjera me marzh të ulët rrezikshmërie.
Sipas informacioneve, në këtë institucion kanë përfituar gjithashtu ulje dënimi edhe rreth 40 të burgosur të tjerë të cilët nuk plotësonin kushtet për lirim të menjëhershëm, por përfitojnë reduktim të kohës së mbetur të dënimit.
Pas lirimit të 127 të dënuarve, burgu i Kosovës i cili ka një kapacitet prej rreth 190 personash do të ketë një numër të konsiderueshëm vendesh të lira. Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që këto kapacitete të plotësohen me të burgosur të transferuar nga institucione të tjera të vuajtjes së dënimit në vend.
