Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar monitorimin në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të qarkut, me përdorimin e pajisjeve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë kësaj jave për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor janë proceduar penalisht 21 shtetas. Sipas policisë 6 prej tyre janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 15 drejtues të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje.

Në kuadër të kontrolleve parandaluese të ushtruara në rrugët urbane dhe lokale, Policia Rrugore ka vendosur në total 1409 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2. Po ashtu janë ndëshkuar 74 drejtues për mospërdorim të rripit të sigurimit, 19 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 108 për parakalim të gabuar dhe 13 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit.

Ndërkohë 384 masa të tjera administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat sipas policisë përbëjnë burim aksidentesh. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe 23 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore Fier apelon për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit duke e cilësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në rrugë, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt dhe pa pengesa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds