Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho paraqiti në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për vitin 2025, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka mbetur prioritet, ndërsa hetimet janë zgjeruar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 SPAK ka hetuar 871 procedime penale, prej të cilave 294 janë çështje të reja, duke shënuar një rritje prej 4.9% të volumit të punës krahasuar me një vit më parë. Janë përfunduar 216 hetime, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe numri i procedimeve të nisura kryesisht nga vetë prokuroria.

Në fushën e korrupsionit, Braho tha se raportoi se janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Prej tyre, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 ish-zyrtarë të lartë janë dënuar me vendime të formës së prerë gjatë vitit 2025.

Raporti evidenton gjithashtu se krimi i organizuar po bëhet gjithnjë e më kompleks, me përdorimin e komunikimeve të enkriptuara, kompanive fiktive, transaksioneve informale dhe investimeve në pasuri të paluajtshme. Gjatë vitit janë hetuar 261 procedime për krim të organizuar, me 445 persona nën hetim.

Një tjetër fokus i punës së SPAK ka qenë hetimi financiar. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 43.5 milionë euro, ndërsa janë konfiskuar pasuri me vlerë 1.91 milionë euro. Mes tyre përfshihen edhe kriptovaluta të sekuestruara me vlerë rreth 14.5 milionë dollarë.

Sa i përket krimeve zgjedhore, SPAK bëri të ditur se ka administruar mbi 230 materiale dhe ka regjistruar më shumë se 150 procedime penale gjatë periudhës 2021–2025. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë regjistruar 46 procedime penale, ndërsa 22 prej tyre vijojnë të jenë në hetim.

Në raport u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar, me 156 kërkesa për ndihmë juridike të dërguara drejt 31 shteteve dhe 95 kërkesa të ardhura nga 17 vende, si edhe rritja e skuadrave të përbashkëta hetimore nga 26 në 32.

Kreu i SPAK identifikoi edhe një sërë sfidash që kërkojnë ndërhyrje ligjore, mes tyre statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, mungesën e këshilltarëve ligjorë, forcimin e kapaciteteve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmirësimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds