Një gjykatë në Los Angeles ka vendosur që këngëtari amerikan Chris Brown mban përgjegjësi për sulmin e qenit të tij ndaj një punëtoreje shtëpiake në vitin 2020, duke e urdhëruar të paguajë 13 milionë dollarë dëmshpërblim. Vendimi u mor pas një gjyqi dyjavor, ku juria vendosi në favor të Maria Avilës, e cila paditi artistin duke pretenduar se ai kishte treguar neglizhencë duke lejuar qenin e tij të madh të lëvizte i lirë në oborrin e rezidencës.
Sipas dëshmisë së Avilës, ajo u sulmua nga kafsha ndërsa po nxirrte mbeturinat. Ajo deklaroi se qeni i shkaktoi plagë të rënda në fytyrë, duke i shkëputur pjesë të lëkurës, çka e la të shpërfytyruar përgjithmonë. Si pasojë e sulmit, ajo humbi shikimin në njërin sy dhe pësoi dëmtime serioze nervore.
Gjatë procesit gjyqësor, Chris Brown argumentoi se qeni mbahej për arsye sigurie dhe nuk ishte kafshë shtëpiake. Ai gjithashtu pretendoi se kishte paralajmëruar Avilën që të mos dilte në oborr pa praninë e rojeve të sigurisë, pasi qeni nuk ishte miqësor.
Megjithatë, Avila dhe motra e saj, Patricia, e cila gjithashtu punonte në rezidencën e këngëtarit, mohuan se një paralajmërim i tillë ishte dhënë ndonjëherë.
Në gjykatë u bë e ditur gjithashtu se pas sulmit, Brown nuk telefonoi policinë dhe nuk i ofroi ndihmë mjekësore punonjëses, por u largua nga vendi i ngjarjes nga frika se incidenti do të bëhej publik.
Edhe pse Brown pranoi një pjesë të përgjegjësisë, ai kundërshtoi ashpërsinë e dëmtimeve dhe pretendoi se edhe Avila kishte përgjegjësi për incidentin.
Maria Avila kishte kërkuar 90 milionë dollarë dëmshpërblim, por gjykata vendosi që ajo të përfitojë 13 milionë dollarë, ndërsa motrës së saj, Patricia Avila, iu akorduan 885 mijë dollarë për dëmet e pësuara në lidhje me ngjarjen.
