Dy aksidente rrugore në autostradën Lushnjë–Fier kanë ndodhur në fundjavë, ku njëri prej tyre i mori jetën një të riu 34-vjeçar.
Aksidenti fatal ndodhi në zonën e Vajkanit, ku sipas të dhënave paraprake një motomjet doli nga rruga. Për shkak të përplasjes së fortë drejtuesi i tij, 34-vjeçari Armando Selmanllari humbi jetën në vendngjarje.
Ngjarja u konfirmua nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme u regjistrua një tjetër aksident në autostradën Lushnjë–Fier, pranë kryqëzimit të Pushimit të Shoferit. Një automjet tip “Toyota” goditi nga pas një kamion duke lënë të plagosur drejtuesin 40-vjeçar të automjetit i cili u transportua me ambulancë në spital.
Përplasja shkaktoi radhë të gjata automjetesh, nga rrethrrotullimi i Savrës deri në vendin e aksidentit. Policia Rrugore menaxhoi qarkullimin për normalizimin e trafikut, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
