Është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Gjergji Lala, një nga figurat më të spikatura të kinematografisë shqiptare dhe krenari e qytetit të Lushnjës.
I lindur më 6 dhjetor 1947 në Lushnjë, Gjergji Lala u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve dhe ndërtoi një karrierë të pasur në teatër dhe film.
Debutimi i tij në ekranin e madh erdhi në vitin 1976 me filmin “Tokë e Përgjakur”, ku interpretoi rolin e Xhemes, djalit të zotit Maksut. Më pas ai u bë pjesë e një sërë filmash të njohur të kinemasë shqiptare si “Liri a Vdekje”, “Gjurmë në Kaltërsi”, “Në Prag të Lirisë”, “Shtëpia Jonë e Përbashkët”, “Një emër midis njerëzve”, “Lumi që nuk shteron” etj.
Ndër interpretimet më të vlerësuara mbetet roli i patriotit Mihal Grameno në filmin “Liri a Vdekje”, që e vendosi mes aktorëve më të spikatur të kohës.
Përveç kinemasë Lala ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në skenën teatrore, duke punuar si aktor dhe regjisor në teatrin “Bylis” në Fier gjatë viteve 1988-1992, si dhe me trupën e teatrit të Lushnjës, ku vuri në skenë vepra të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare.
Që prej vitit 1992 ai jetonte në Itali, ku vijoi karrierën artistike në filma dhe seriale të njohura italiane si ambasadori rus tek filmi “Il papa buono” ka luajtur edhe tek filmat “L’orizzonte degli Eventi”, “L’uomo della carita- Don Luigi di Liegro”, “Medicina Generale”, “Il sapore del sale”.
Gjithashtu ka luajtur edhe në seriale të njohur italiane, në sezonin e 7-të të “La scuadra” dhe “Don Mateo 5”.
Për kontributin e tij në artin shqiptar në vitin 2011 u nderua me titullin “Naim Frashëri”.
Me ndarjen nga jeta të Gjergji Lalës, kinemaja dhe teatri shqiptar humbin një prej përfaqësuesve më të denjë të brezit të artë të skenës dhe ekranit shqiptar.
