Janë hapur sot më 25 maj aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 26 qershor. Fondi i vënë në dispozicion arrin në 5.2 miliardë lekë dhe përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimi për fermerët e pajisur me NIPT bujqësor.
Fokusi kryesor i skemës mbetet sektori i blegtorisë. Fermerët që mbajnë lopë do të përfitojnë 12 mijë lekë për krerë, ndërsa për gjedhët e imta mbështetja është 1 mijë e 500 lekë për krerë, me kushte minimale të përcaktuara për tufën. Rritje mbështetjeje ka edhe për bletarinë, ku pagesa arrin në 2 mijë lekë për çdo koshere, dyfish më shumë se një vit më parë.
Një risi e këtij viti është mbështetja për të rinjtë nën 40 vjeç, të cilët mund të përfitojnë deri në 1 milion lekë për investime në fermat e tyre.
Në ditën e parë të aplikimeve, në Agropikën dhe Drejtorinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Lushnjë është vërejtur interes i lartë nga fermerët, megjithëse disa prej tyre nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mosplotësimit të kritereve, përfshirë bashkimin e sipërfaqeve të tokës apo numrin minimal të krerëve.
Fermerët kanë mendime të ndryshme për skemën, ku disa e konsiderojnë mbështetëse, ndërsa të tjerë e shohin me burokraci të shtuar për shkak të kushteve të reja.
Aplikimet për masat direkte bëhen online ose pranë drejtorive bujqësore, ndërsa projektet për investime dorëzohen pranë AZHBR në Tiranë. Skema parashikon edhe rimbursim deri në 70% për kontrollin biologjik në kulturat bujqësore.
