Në shkollën Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa është zhvilluar Panairi i Ushqimeve, një aktivitet i përvitshëm me karakter humanitar, i organizuar me angazhimin e nxënësve drejtuar nga mësuesit dhe me mbështetjen e madhe të prindërve me qëllim krijimin e një bote më të mirë e me më pak varfëri dhe vuajtje.
Në këtë panair nxënësit sollën nga shtëpitë e tyre gatime tradicionale shqiptare, ëmbëlsira të ndryshme të përgatitura me kujdes, si dhe fruta të freskëta të prodhuara në zonë. Të gjitha produktet u vendosën në tavolina të rregulluara sipas klasave në oborrin e shkollës, duke krijuar një ambient të gjallë, plot ngjyra dhe aromë ushqimesh të shumta.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë bashkëpuni mes nxënësve dhe argëtimi, ku ata jo vetëm ekspozuan produktet, por edhe i shitën ato vetë duke përjetuar nga afër rëndësinë e punës në grup dhe organizimit.
Në panair morën pjesë edhe mësuesit dhe prindërit të cilët kontribuan duke blerë produktet e ekspozuara, me qëllim mbështetjen e kësaj nisme vullnetare. Të ardhurat e grumbulluara do të përdoren për të ndihmuar personat në nevojë.
Organizatorët theksuan se ky aktivitet nuk synon vetëm mbledhjen e fondeve, por mbi të gjitha edukimin e nxënësve me vlerat e solidaritetit, ndihmës ndaj të tjerëve dhe përgjegjësisë shoqërore. Mesazhi kryesor i panairit mbetet se edhe një kontribut i vogël mund të sjellë ndryshim të madh në jetën e dikujt, duke dhuruar shpresë dhe lumturi për ata që kanë më shumë nevojë.
