U mbajt sot mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila nisi me miratimin e rendit të ditës dhe vijoi me diskutime të shumta mes anëtarëve të këshillit.

Pika e parë ishte “Shpjegime nga përfaqësuesi i një subjekti në lidhje me ankesën e Këshillit Bashkiak për ndotje mjedisore”, ku pati diskutime mes përfaqësuesit dhe këshilltarëve lidhur me përgjegjësitë dhe masat për situatën e krijuar.

Më pas këshilltarët vijuan me shqyrtimin e pikave të tjera ku miratuan fondin për familjet në nevojë, procedurën e përshpejtuar për trajtimin dhe strehimin e menjëhershëm të grave dhe vajzave, viktima të dhunës në familje, të pajisura me urdhër mbrojtjeje, si dhe përfundimi i procedurave të privatizimit të banesave shtetërore që kishin mbetur të paregjistruara.

Në rendin e ditës ishte parashikuar edhe pika për ndihmë financiare për një qytetar, banesa e të cilit ishte dëmtuar nga zjarri në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, por kjo pikë u tërhoq nga Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa pas informacioneve të Prokurorisë se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga vetë familjarët.

Ndërkohë pika për miratimin e listës së përdoruesve faktikë për kalimin në pronësi të tokës bujqësore nuk kaloi në votim, për shkak të mungesës së kuorumit prej 25 këshilltarësh. Në mbledhje ishin të pranishëm vetëm 22 prej tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds