Mëngjesin e së dielës, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe forcimin e kontrollit në institucionet e vuajtjes së dënimit, janë zhvilluar kontrolle të befasishme në IEVP Lushnjë.
Operacioni është realizuar me urdhër dhe nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi, si dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta.
Kontrollet janë përqendruar në regjimet e brendshme të institucionit, në qeli, ambiente të përbashkëta dhe sektorë të sigurisë, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e sendeve të ndaluara, si dhe forcimin e kontrollit operacional brenda burgut.
Në aksion janë angazhuar forca të shumta të sigurisë dhe personel i administratës së burgjeve, të cilët kanë ushtruar kontrolle të detajuara në çdo sektor të institucionit.
Sipas informacionit paraprak, gjatë kontrolleve janë konstatuar dhe sekuestruar sende të tepërta, si edhe aksesorë të mjeteve të komunikimit, të cilat ndalohen nga rregullorja e brendshme e institucioneve penitenciare.
Autoritetet bëjnë me dije se çdo material apo provë që përbën element të veprës penale do t’i referohet SHKBB dhe organeve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.
Kontrolle të tilla pritet të vijojnë edhe në institucione të tjera penitenciare në vend.
