Një aksident rrugor është regjistruar në orët e vona të natës në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Peugeot” me targa bullgare ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës.

Sipas informacioneve paraprake nga Policia në vendngjarje nuk është konstatuar prania e drejtuesit të mjetit dhe as e ndonjë personi të lënduar. Për këtë arsye, efektivët kanë nisur verifikimet në zonë dhe kanë kontaktuar me spitalet përreth, por nuk është raportuar asnjë qytetar i paraqitur për ndihmë mjekësore si pasojë e aksidentit.

Pas disa orësh hetimesh dhe verifikimesh, ngjarja është zbardhur dhe drejtuesi i mjetit është identifikuar. Bëhet fjalë për një 29-vjeçar i cili ka deklaruar se ka qenë vetë në timon në momentin e aksidentit.

Sipas dëshmisë së tij të dhënë para uniformave blu, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, kur për arsye ende të paqarta ai ka humbur kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanalin anësor. Ai ka shtuar se pas përplasjes ka qëndruar për një kohë në vendngjarje, duke pritur ndihmë nga kalimtarët ose automjete të tjera që mund të kalonin në atë segment rruge.

Por pasi nuk ka marrë ndihmë dhe duke qenë se nuk ka pësuar dëmtime fizike, ai ka arritur të dalë vetë nga automjeti dhe është larguar nga vendi i aksidentit, duke u kthyer në banesë.

I riu ka pohuar gjithashtu se kishte planifikuar të paraqitej mëngjesin e sotëm në Komisariatin e Policisë Lushnjë për të bërë denoncimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë Policia ka nisur procedurat për dokumentimin e aksidentit, si dhe për verifikimin e shkaqeve të tij. Dyshohet për humbje kontrolli të mjetit, ndërkohë automjeti është tërhequr nga kanali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds