Digjet pjesërisht tregu i fruta-perimeve me pakicë në qytetin e Lushnjës. Zjarri ka rënë rreth orës 03:30 në pjesën fundore të tregut. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës dhe policinë, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij dhe djegien e plotë të tregut, pasi mbulesa e strukturës është plastike.
Rreth 25 tregtarë ambulantë kanë pësuar dëme të konsiderueshme, pasi produktet që ndodheshin në tezgat e tyre janë shkrumbuar plotësisht. Tezgat janë të vendosura brenda tregut, i cili ruhet me roje fizike dhe survejohet me kamera sigurie.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë i qëllimshëm.
Edhe pse një prej kamerave të sigurisë ndodhej vetëm rreth tre metra larg zonës së përfshirë nga flakët, ajo nuk ka mundur të fiksojë asnjë pamje të autorit apo autorëve të mundshëm. Sipas të dhënave, tregtarët përdorin çadra dhe mbulesa të tjera mbrojtëse për mallrat, të cilat kanë penguar fushëpamjen e kamerave. Struktura e tregut është tepër e lartë dhe këto mbulesa kanë penguar identifikimin e personave të dyshuar.
Tregtarët e vegjël kanë pësuar dëme të mëdha në ekonomitë e tyre familjare.
