Aksident në rrugën kombëtare Lushnjë- Berat në dalje të fshatit Çiflik. Një automjet tip Ford ka humbur kontrollin dhe ka goditur shtyllën elektrike të tensionit të lartë dhe ka përfunduar në kanalin vaditës përgjatë rrugës automobilistike, vend ku edhe më parë kanë ndodhur aksidente.
Dy persona që udhëtonin në mjet janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu të qarkullimit rrugor shkuan në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit si dhe për të dokumentuar atë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur edhe punonjësit e OSSHE që kanë kryer ndërprerjen e energjisë elektrike për shkak të shtyllës së dëmtuar dhe këputjes së kabllove të energjisë.
Ky aks rrugor bëhet vazhdimisht burim aksidentesh pasi kalon nëpër zona të banuara dhe është vetëm me dy korsi, ku përveç automjeteve të të gjitha tonazheve kalojnë mjete bujqësore, biçikleta si dhe kafshët.
Sipas të dhënave të para në vendngjarje, drejtuesi i mjetit ka thënë se ka shmangur një përplasje me një automjet tjetër që kishte kryer manovër të gabuar në parakalim dhe përfundoi duke i rënë shtyllës.
