Një autoportret enigmatik surrealist nga piktorja meksikane Frida Kahlo në vitin 1940 u shit për 54.66 milionë dollarë në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork të enjten, duke u bërë piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë nga një grua.

Vepra, El sueño (La cama), Ëndrra (Shtrati), theu rekordin e mëparshëm, të vendosur nga piktorja amerikane Georgia O’Keeffe, e cila u shit për 44.4 milionë dollarë në vitin 2014.

Emri i blerësit të veprës pas katër minutash ofertash nuk u zbulua nga shtëpia e ankandeve.

Në pikturë, Frida Kahlo është paraqitur duke fjetur në një shtrat druri që duket sikur po fluturon në qiell, ndërsa në tavanin e shtratit të saj është një skelet i shtrirë, i mbështjellë me dinamit, me një buqetë në dorë dhe një buzëqeshje.

Është një imazh “shumë personal” në të cilin piktorja “përzien motive folklorike të kulturës meksikane me surrealizmin evropian”, tha për AFP-në Anna Di Stazi, një specialiste në artin latino-amerikan në Sotheby’s.

Artistja legjendare meksikane, e cila vdiq në vitin 1954 në moshën 47 vjeç, “nuk ishte aspak dakord” që kritikët e kishin klasifikuar atë në lëvizjen surrealiste, vuri në dukje gjithashtu ekspertja. Por “me këtë ikonografi të mahnitshme, dukej e përshtatshme ta përfshihej” në këtë lëvizje, shtoi ajo.

Dhimbja dhe vdekja ishin elementë të vazhdueshëm, qendrorë në punën e saj. Shëndeti i Frida Kahlo ishte i lëkundur gjatë gjithë jetës së saj, pasi ajo u sëmur nga poliomeliti si fëmijë, dhe në vitin 1925 ajo ishte në një autobus që u përfshi në një aksident të rëndë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *