Artisti i mirënjohur nga Kosova, Petrit Halilaj këtë javë  hapi në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, një instalacion të artit bashkëkohor, të quajtur “Abetare.”

Lule, shtëpi, zemra, yje. KFOR-i, Messi, një merimangë e frikshme janë copëzat e një fëmijërie, të gdhendura në një moment të caktuar kohor, në bankat shkollore, ku fëmijët mësuan shkronjat e para, krijuan shoqëritë e para, por, që për brezin e Petrit Halilajt, në Kosovën e përfshirë nga flaka e luftës në vitin 1998, u shndërruan në hi. Një pjesë e vogël arritën të mbijetojnë.

Sot këtë koleksion kujtimesh personale, këto simbole të ngrira të një kohe tronditjesh të mëdha, të gjurmuara në bankat e hedhura të shkollës së vjetër “Shote Galica” në fshatin Runik në Kosovë, Halilaj i shndërroi në skulptura gjigande metali për t’i vendosur këtë javë në hapësirën e tarracës së Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut, me emrin “Abetare.”


“Instinkti i parë që pata ishte t’i shpëtoja bankat. Në to kishte vizatime të gjeneratave e gjeneratave të ndryshme, nga 30-40 vjetët e fundit, ndoshta edhe prej viteve para se të lindja unë. Gjenerata të cilat përmes vizatimeve, simboleve, shkrimeve, shkronjave, alfabetit, të viteve të ndryshme – të viteve ‘90 gjatë okupimit, të viteve ’98-’99 gjatë luftës, simbole të pasluftës, simbole të shpresës dhe ndoshta të kohës pas çlirimit, ku ndihej entuziazmi edhe realiteti lokal i lidhur me Runikun, Kosovën, si edhe me krejt botën përmes këtyre vizatimeve,” thotë Halilaj.

“Abetarja”, që shndërron gdhendjet, shkrimet dhe gërvishtjet, ndonjëherë më të vogla se 1 centimetër, të nxënësve në bankat shkollore, në skulptura gjigande tredimensionale të vendosura në tarracën e muzeut, është pjesë e një udhëtimi më të zgjeruar nëpër rajon, që provon t’i lidhë përvojat universale me traumat intime dhe nevojën për t’u përballur dhe për të imagjinuar një të ardhme ndryshe. Sipas Halilajt, këto banka nga vitet ’70 dhe fëmijët që uleshin në to, përjetuan shkatërrimin e Jugosllavisë, të gjitha konfliktet e viteve të 90, ndarjet, dhe luftërat. Të gjitha këto gjurmë, thotë ai, të gjitha ato breza fëmijësh, po frymonin bashkë në këto banka.

Halilaj thotë se ekspozitën ua dedikon të gjithë fëmijëve që po kalojnë nëpër periudha të errëta dhe se është i lumtur që ka jetësuar në këtë vepër vizatimet e fëmijëve nga vende të ndryshme në skulptura, të cilave për të qëndruar mbi horizontin e Nju Jorkut, siç thotë si, ju duhet që fizikisht të jenë të mbështetura tek njëra-tjetra.

Për drejtorin e Muzeut Metropolitan, Max Hollein, instalacioni i Halilajt, i cili po bën bujë në shtypin amerikan, është i jashtëzakonshëm.

Në tarracën e Muzeut, Halilaj po jetëson një ëndërr personale dhe po projekton një ëndërr tjetër kolektive, duke nxitur të tjerët pas tij të sfidojnë, të shkruajnë, të tregojnë dhe ritregojnë historinë, për të cilën ai thotë se në Ballkan është e vështirë dhe e ashpër.

Ekspozita “Abetare” do të jetë e hapur në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut deri më 27 tetor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *