575 maturantë të Lushnjës, ashtu si mijëra bashkëmoshatarë të tyre në të gjithë vendin, iu nënshtruan këtë të martë provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30, nën masa të rrepta sigurie dhe sipas rregullores së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Autoritetet kishin paralajmëruar ndalimin e telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mundëson komunikim elektronik apo lidhet me inteligjencën artificiale. Po ashtu, nuk lejohej përdorimi i materialeve të paautorizuara, kopjimi apo komunikimi mes maturantëve gjatë zhvillimit të testimit, ndërsa çdo shkelje e rregullores parashikonte përjashtimin e menjëhershëm nga provimi.
Maturantët u paraqitën në qendrat e provimit të pajisur me dokument identifikimi të vlefshëm dhe mjetet e nevojshme shkollore për zhvillimin e provimit.
Megjithatë edhe këtë vit vetëm pak minuta pas nisjes së testimit, në rrjetet sociale u publikuan foto të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, konkretisht të variantit B. Ngjarja ka rikthyer debatet mbi sigurinë dhe administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore.
Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është testi i dytë i Maturës Shtetërore 2026. Më 3 qershor maturantët zhvilluan provimin e Gjuhës së Huaj, ndërsa në javët në vijim do të vijojnë me provimet e tjera të maturës shtetërore.
