Nxënësit e klasës së 8-të të shkollës “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” kanë zgjedhur projektin “Kinematografia” për të mbyllur këtë vit shkollor. Përmes materialeve të përgatitura me kujdes ata treguan historinë e kinematografisë shqiptare dhe asaj botërore, zhvillimin e saj ndër vite, si edhe ndikimin që ajo ka në arsim, kulturë dhe argëtim.

Së bashku me mësuesen Julisa Krakulli, nxënësit e nisën prezantimin me kinematografinë shqiptare e cila përfshin krijimtarinë filmike të zhvilluar në territoret e banuara nga popullsia shqiptare duke ndalur tek filmat dhe figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e ekranit shqiptar.

Më pas vëmendja u përqendrua tek kinematografia botërore. Nxënësit sollën fakte dhe kuriozitete mbi zhvillimin e saj, ndërsa nuk lanë pa përmendur edhe disa filma të realizuar mbi romanet që studiohen në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe duke treguar lidhjen e ngushtë mes letërsisë dhe artit filmik.

Atmosfera u bë më artistike nga interpretimi i disa këngëve të njohura të filmave, ku nuk munguan edhe këngët e artistes së madhe lushnjare Vaçe Zela, të cilat nxënësit i kishin përgatitur nën drejtimin e mësuesit të muzikës Beniamin Ademi.

Mësuese Julisa shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar nga nxënësit gjatë punës disa mujore për realizimin e këtij projekti.

Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme, nxënësit i dhuruan lule mësueses së tyre. Projekti “Kinematografia” u ndoq me interes dhe vëmendje nga nxënësit e tjerë të shkollës, mësuesit dhe drejtoria.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds