Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 38-vjeçar që shpërndante lëndë narkotike Kokainë dhe drejtonte automjetin në efektin e alkoolit. Gjithashtu, ai ndëshkohet me 55 000 lekë gjobë, për shkeljet rrugore të kryera.

Në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën 33 doza Kokaine, gati për shitje. Dozat u sekuestruan bashkë me automjetin, 1 peshore elektronike dhe 4 celularë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë gjatë monitorimeve të kryera në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv konstatimin e shtetasve që kryejnë manovra të dyshimta dhe të rrezikshme, me mjetet që drejtojnë, nga shërbimet e Policisë Rrugore u ndalua për verifikim, në aksin rrugor “Fiershegan-Krutje”, automjeti me drejtues shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga testi i bërë rezultoi se 38-vjeçari e drejtonte automjetin, në efektin e alkoolit, dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se nuk e kishte pajisur automjetin, me siguracion. Për të dyja shkeljet u ndëshkua me masa administrative, në total 55 000 lekë gjobë.

Më tej, iu kryen kontrolle në automjet dhe në banesë, ku iu gjetën në total 33 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, dhe 1 peshore elektronike.

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Penalitetet”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. K., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds