Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar një takim informues me gazetarët, ku ka folur për numrin e procedimeve aktive të institucionit.

Braho bëri të ditur se viti 2026 ka nisur me një numër të lartë çështjesh në hetim, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë rezultat i hetimeve të nisura nga vetë prokurorët e SPAK, siç raporton Anila Hoxha.

“Ajo që doja të ndaja është volumi. Viti 2026 ka nisur me 616 procedime aktive. Nuk dua të bëj krahasim se si ka punuar prokuroria më parë dhe si punon tani”, u shpreh ai.

Sipas Brahos, më shumë se gjysma e procedimeve aktive nuk kanë nisur nga kallëzime apo referime të ardhura nga jashtë institucionit, por nga hetime proaktive të ndërmarra nga SPAK.

“Më shumë se gjysma nuk kanë ardhur nga kallëzimet apo referimet e jashtme, por nga hetimet tona proaktive. Për gjashtë muajt e fundit kemi hetuar 16 zyrtarë të lartë”, tha kryeprokurori.

Pjesë nga deklarata:

3. ECURIA E ÇËSHTJEVE TË PRAPAMBETURA TË VITEVE 2019–2021

3.1. Krahasimi i së njëjtës periudhë të viteve 2025 dhe 2026 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të trajtimit të çështjeve të prapambetura të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2025, nga 145 çështje aktive u përfunduan 12, me një normë të përgjithshme zgjidhshmërie prej 8,27%. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, nga 108 çështje aktive u përfunduan 63 procedime penale, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%.

3.2. Në terma absolute, gjatë vitit 2026 janë përfunduar 51 çështje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025, ose mbi pesë herë më shumë. Norma e përgjithshme e zgjidhshmërisë është rritur me rreth 50 pikë përqindje, nga 8,27% në 58,3%, pavarësisht se krahasimi përfshin të njëjtën kohë raportimi.

3.3. Përmirësimi më i madh konstatohet te çështjet e vitit 2019. Deri më 15 korrik 2025 ishin përfunduar vetëm 2 nga 35 çështje, me normë zgjidhshmërie 5,71%, ndërsa deri më 15 korrik 2026 janë përfunduar 24 nga 26 çështje, ose 92,3% e stokut të fillim vitit. Në proces kanë mbetur vetëm 2 çështje të këtij viti.

3.4. Edhe për çështjet e vitit 2020 rezultati është dukshëm më i lartë. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 10,2% në vitin 2025 në 78,9% në vitin 2026. Nga 38 çështje aktive në fillim të vitit 2026 janë përfunduar 30 dhe kanë mbetur në proces vetëm 8 çështje.

3.5. Për çështjet e vitit 2021 është shënuar gjithashtu progres, por me ritëm më të kufizuar. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 8,19% në 20,5%, ndërsa janë përfunduar 9 nga 44 çështje aktive. Megjithatë, 35 çështjet e vitit 2021 që mbeten në proces përfaqësojnë 77,8% të të gjithë stokut të mbetur të viteve 2019–2021.

3.6. Në përfundim, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 puna është përqendruar me rezultat të dukshëm në reduktimin e stokut më të vjetër, veçanërisht të çështjeve të viteve 2019 dhe 2020. Sfida kryesore për pjesën e mbetur të vitit është përshpejtimi i trajtimit të çështjeve të vitit 2021.

4. PROCEDIMET ME ZYRTARË TË NIVELIT TË LARTË

4.1. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë/ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.

4.2. Pjesën më të madhe të personave të përfshirë e përbëjnë kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësojnë së bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds